“E vizitova javën e kaluar”, Jean Todt tregon luftën e Michael Schumacher

Ish-shefi i Ferrarit, Jean Todt, ka deklaruar se e ka vizituar javën e kaluar Michael Schumacherin dhe tha se 7 herë kampioni i F1 po vijon të luftojë për t’u rekuperuar nga incidenti i tmerrshëm me ski që i ndodhi para 7 vitesh.

Presidenti i FIA-s tha për agjencinë “PA”: “E vizitova javën e kaluar. Është duke luftuar. Ai ka pësuar një aksident që i ka shkaktuar shumë probleme, por ka një grua të mrekullueshme në krah, ka fëmijët dhe infermierët. Edhe unë do i qëndroj pranë. Nëse kanë nevojë për mua, jam i gatshëm”.

Schumi goditi kokën në një shkëmb, në dhjetor 2013, kur u rrëzua duke bërë ski në Francë. Gjendja e tij shëndetësore mbetet sekret dhe të paktë janë ata persona jashtë familjes që mund të vizitojnë ish-pilotin e Ferrarit.