Ligj i ri për Presidentin, PS garanton Metën për kompetencat, opozita skeptike

Mazhoranca nuk e ka ndarë ende mendjen nëse ligji për presidentin do të jetë një riciklim i draftit të vitit 2016, që ishte pjesë e paketës në drejtësi e që më pas u la jashtë saj, apo do të hartojë një draft të ri.

Alket Hyseni do jetë pjesë e grupit të punës, dhe në një intervistë për A2 garanton se asnjë kompetencë e presidentit nuk do të preket.

“Kompetencat e Presidentit janë të përcaktuara. Ligji do jetë rregullator, si do ushtrohen kompetencat, pa cenuar asnjë aspekt kushtetues. Nuk ka logjikë që të thonë kjo po bëhet qëllimisht. Qëllimi i vetëm është rregullimi i mënyrës së funksionimit të çdo institucioni”, shprehet Hyseni.

Demokratët e lexojnë nismën e qeverisë si një përpjekje për të vënë nën kontroll presidentin. “Ky ligj do jetë konjektural, për ta pasur nën kontroll presidentin, për ta penguar presidentin? Kulmi ishte ai i betimit. Apo do jetë ligj për të forcuar institucionet. Kush ka besim se Rama bën një ligj për forcimin e institucioneve?”, thotë Çlirim Gjata, ekspert për Çështje Zgjedhore në PD.

Analisti Afrim Krasniqi, i cili ka qenë në grupin e punës që hartoi draftin e vitit 2016, thotë se ligji i njoftuar nga kryeministri Rama në Parlament është një hakmarrje e politikës së ditës.

“Mazhoranca kërkon një ligj për të kompensuar çmimin politik që pagoi kur dështoi për ta shkarkuar presidentin dhe për ta përdorur si mjet presioni ndaj kompetencave kushtetuese të presidentit”, shprehet Krasniqi.

Përballë insistimit të socialistëve për të ruajtur një honorifik të Presidentit, demokratët sugjerojnë nevojën e ndryshimit kushtetues që lejon zgjedhjen e tij nga populli. “Çështja është se duhet të kemi një president që zgjidhet nga populli. Ai është personalitet politik, se po u zgjidh nga populli, as Edi Rama dhe askush nuk kanë çfarë i bëjnë Presidentit”, thotë Gjata.

“Në republikë parlamentare janë të mjaftueshme këto kompetenca. Nëse do ishte ushtruar drejt funksioni Presidentit, nuk do të kishte debat, si zgjidhet, si ushtron kompetencat. Kur ngatërrohet roli i Presidentit me ndërtimin e një opozite institucionale, ndodhin gjëra të tilla”, thotë Hyseni.

Nga populli apo nga kuvendi, për Krasniqin, e rëndësishme është ruajtja e dakordësisë politike mbi modalitetet e zgjedhjes së kreut të shtetit. “Duhet një ligj që të kemi ligj konsensual, teknik dhe jo politik dhe që tejkalon mazhorancat e radhës”, thotë Krasniqi.

Hartimi i një ligji organik për Presidentin e Republikës u përmend nga kryeministri Rama në nisje të sesionit parlamentar, si një nga objektivat e mazhorancës në kuvend gjatë muajve të ardhshëm. E kontaktuar nga A2, Presidenca nuk pranoi të komentonte mbi këtë nismë.