Në prag të vitit të ri shkollor, Basha: Të testohen të gjithë mësuesit

basha 2 1100x620

Një testim masiv të të gjithë mësuesve, në prag të vitit të ri shkollor, ka kërkuar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mesazhin më të fundit në rrjetet sociale.

Sipas kryedemokratit, përveç dezinfektimit të ambienteve shkollore, mësimit me turne, duhet kryer urgjentisht dhe testim masiv për të gjithë stafin mësimor.

“Ky vit nis në kushte të vështira për mësuesit, nxënësit dhe familjet e tyre. Javët e fundit numri i të prekurve me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë, ndërkohë që mbetet detyrë parësore e qeverisë të marrë masa konkrete për të shmangur përhapjen e virusit mes nxënësve dhe mësuesve.

Veç dezinfektimit të ambienteve shkollore, mësimit me turne për të shmangur klasat me shumë nxënës, duhet kryer urgjentisht dhe testim masiv për të gjithë stafin mësimor. Çdo mësues ditën e parë të shkollës duhet të ketë rezultatin e testit të COVID-19.

Me testime të shpeshta të stafit mësimor në vazhdim, do të mund të shmanget dhe një zinxhir i mundshëm infeksioni që do ta rëndonte edhe më tej situatën”, shkruan Basha në rrjetet sociale.