PD-degëve: Identifikoni çdo rast presioni të administratës për të siguruar vota për PS-në

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u kërkoi të gjitha degëve të PD të identifikojnë dhe të monitorojnë çdo drejtor dhe çdo nëpunës që përfshihet në presionin e paligjshëm të administratës për të siguruar vota për Partisë Socialiste.

Bardhi e cilëson këtë “një skemë kriminale të përdorimit të administratës shtetërore nga PS për qëllime elektorale”, të dënueshme nga Kodi Penal, neni 328/a “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Duke paralajmëruar ndjekjen penale për çdo shkelës të ligjit, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka lënë dy detyra për Shtabet Politike në të gjitha degët.

E para, të identifikojnë të gjithë drejtuesit e institucioneve shtetërore që kanë shpërndarë një formular të tillë apo që shantazhojnë punonjësit e tyre për qëllime politike/elektorale, si dhe të dokumentohen veprimet e paligjshme të çdo punonjësi të administratës shtetërore që angazhohet në veprimtari politike me qëllim elektoral. Për secilin prej tyre të dhënat të përcillen në Shtabin Qendror në PDSH për efekt dokumentimi dhe për përgatitjen e kallëzimeve penale në prokurori.

E dyta, të garantohen të gjithë punonjësit e administratës publike, që nuk angazhohen në veprimtari politike, se asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale nuk do të njihet nga qeveria e re e Partisë Demokratike, e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.