Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Reagimi ndaj pandemisë, Trump mbrohet, shkencëtarët e kritikojnë

Nga A2 CNN
11 Shtator 2020, 16:01 | Bota
Reagimi ndaj pandemisë, Trump mbrohet, shkencëtarët e

Presidenti amerikan, Donald Trump, është i vendosur të mbrojë reagimin e tij ndaj koronavirusit, pasi u zbulua se e kishte minimizuar qëllimisht rrezikun e pandemisë. “Unë nuk gënjeva. Ajo që thashë ishte se duhet të jemi të qetë, nuk duhet të përfshihemi nga paniku e të fillojmë të bërtasim; vdekje”, tha Trump.

Por regjistrimet e zbuluara së fundmi, treguan se privatisht ai i kishte thënë gazetarit, Bob Woodward, se virusi ishte shumë i rrezikshëm. “Është më vdekjeprurës se gripi më i rëndë. Përhapet nga ajri”, u dëgjua të thoshte presidenti. Ai këmbëngul se strategjia e tij është korrekte e madje kërkon t’ia kalojë përgjegjësinë Woodward.

“Nëse Bob Woodward do të kishte menduar se ishte diçka e keqe, ai do ta kishte zbuluar diçka të tillë menjëherë, por nuk e bëri sepse nuk mendoi se ishte diçka e keqe”, tha ai. Trump-it iu desh të mbrohej pak para se të merrte pjesë në një tubim me mijëra njerëz në Miçigan.

Kreu i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë thotë se është i shqetësuar nga mungesa e masave dhe distancimit social në event. “Nëse diçka që është kaq e drejtpërdrejtë mund të shtrembërohet në vendimmarrje që nuk kanë kuptim, unë si shkencëtar jam shumë i zhgënjyer”, u shpreh Francis Collins.

Presidenti u tha mbështetësve se ditëve të koronavirusit po i vjen fundi, ndërsa ekspertët e shëndetësisë paralajmërojnë se pandemia me shumë gjasë do të përkeqësohet në vjeshtë dhe dimër. “Merrni masa për të kaluar vjeshtën dhe dimrin, pasi nuk do të jenë të lehta”, tha Anthony Fauci.

Gjatë një tubimi në Florida, kandidatja demokrate për zëvendëspresidente, Kamala Harris, sulmoi Trump që kishte fshehur informacionin për Covid-19 dhe që vazhdonte të mbante manifestime të mëdha gjatë pandemisë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë