Rikthimi i kazinove/ A lidhen paratë e kumarit me financimin e fushatës?

Përdorimi i parave të krimit në fushata zgjedhore ka qenë një nga shqetësimet, por edhe akuzat, e shumë periudhave post-elektorale. Emra dhe shifra artikulohen, ndërkohë që shumë pak persona kanë përfunduar pas hekurave nën këtë akuzë.

Rikthimi i kazinove në kryeqytet, që kryeministri dikur i quante burim financimi për krimin, përveç fshehtësisë me të cilën u mor vendimi, u kritikua dhe për tempizmin, që përkon në distancë të afërt kohore me garën e ardhshme elektorale.

Pothuajse 7 muaj para zgjedheve, a rrezikon të shkojë një pjesë e përfitimeve nga hapja e kazinove, për të financuar fushatën zgjedhore? Ekspertët thonë se pavarësisht ashpërsimit të kodit, ka shtigje.

“Mund të jetë një nga mundësitë që do të ndihmojnë për qarkullimin e këtyre mjeteve financiare. Nuk kemi asnjë mekanizëm të ngritur që i monitoron ato”, tha Premto Gogo.

Kodi Zgjedhor i ndryshuar këtë verë nuk lejon donacione më të mëdha se 1 milion lekë: “Ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksionar i tij nëse ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 3 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë. Ky ndalim zbatohet edhe në rastin e nënkontraktimeve apo të kontratave të partneritetit publik privat”.

Anasjellas, kush ka financuar fushatën, nuk përfiton tendera apo kontrata me vlerë më shumë se 10 milionë lekë.