Skena si ato të filmit “Armageddon”, rreth 500 mijë të evakuuar në SHBA

Më shumë se 500 mijë njerëz, apo 10 për qind e popullsisë në shtetin amerikan të Oregonit, po evakuohen nga banesat e tyre për shkak të zjarreve apokaliptike që kanë përfshirë zonat në verilindje të Paqësorit.

Të përhapura nga erërat e ngrohta e të thata, dhjetëra vatra po digjen rreth shtetit, e të paktën një po trajtohet si zjarrvënie e qëllimshme. Autoritetet flasin për disa viktima, 5 prej të cilëve të konfirmuar.

Guvernatorja Kate Brown tha se nuk ishin parë kurrë kaq shumë zjarre të pakontrolluara rreth shtetit.

“Vetëm në tri ditë është shkrumbuar dyfishi i sipërfaqes së djegur përgjatë të gjithë vitit të kaluar. Nuk kemi parë kurrë kaq shumë zjarre të pakontrolluara”, u shpreh Kate Brown, guvernatore e Oregonit.

Skena të tjera të ngjashme si ato të filmit “Armageddon”, po shihen edhe në Kaliforni dhe Uashington, ku janë shkatërruar qyteza të tjera. Vetëm në Kaliforni janë konfirmuar 10 humbje jetësh, mes të cilëve edhe fëmijë. Gati dy milionë hektarë tokë është djegur.

“Kam parë tornado, tërmete, rrëshqitje dheu e përmbytje, por nuk kisha parë kurrë diçka të ngjashme”, shprehet një banore.

Më shumë se 100 vatra numërohen rreth 12 shteteve perëndimore amerikane. Nga hapësira mund të shihet një re masive tymi, ndërsa Oregoni duket si Marsi me qiejt e kuq.