Solidaritet europian pas zjarrit, 10 shtete të BE strehojnë 400 të mitur të kampit Moria

Bashkimi Europian tregon solidaritet me Greqinë. 10 vende anëtare do të strehojnë 400 minorenë të pashoqëruar që mbetën në qiell të hapur pas djegies së kampit më të madh të emigrantëve, Moria. Gjermania dhe Franca do të presin numrin më të madh të tyre.

Afërsisht 13 mijë njerëz jetonin në kampin Moria në ishullin e Lesvos. Pas djegies së tij, emigrantët e shumtë po qëndrojnë në rrugë, teksa autoritetet përpiqen të gjejnë alternativa akomodimi.

BE premton ndërtimin e një kampi të ri modern në të njëjtin vend, por banorët lokalë kanë kundërshtuar duke vendosur pengesa në rrugë. “Është koha për ta mbyllur njëherë e mirë kampin Moria”, thotë një zyrtar lokal në Lesvos.

Çështja e refugjatëve ka përçarë Unionin Europian gjatë viteve të fundit, ndërsa barrën më të rëndë e mbajnë Italia dhe Greqia. Fluksi i lartë është kufizuar ndjeshëm falë një marrëveshje me Turqinë që ka përfituar miliona euro për të mbyllur kufirin.