22 vite nga vrasja e Azem Hajdarit, e bija Rudina: Je me mua kur më jep forcën të ndjek rrugën tënde

azem hajdari 1100x620

22 vite bëhen sot që nga ekzekutimi i Azem Hajdarit, liderit të lëvizjes studentore dhe një prej drejtuesve të Partisë Demokratike me ardhjen e pluralizmit në vend. Përmes një postimi në rrjetet sociale, e bija e tij, Rudina Hajdari e cila pas një qëndrimi të shkurtër në Partinë Demokratike, po ecën drejt krijimit të një subjekti të ri politik, u shpreh se kujtimi i Azemit i jep forcë e besim.

“Je me mua kur zgjohem dhe shpesh e ndiej sikur me thua si dikur pasuria e gjithë botës është në duart e tua kur je njeri i lirë dhe i ndershëm”, shprehet deputetja e grupit demokrat. Ajo thotë se e ndjen pranë sa herë takon njerëzit që e kujtojnë Azem Hajdarin edhe 22 vite pas vdekjes sikur ta kishim takuar dje. “Je me mua kur më jep forcën të ndjek rrugën tënde. Rrugën e drejtësisë, rrugën e lirisë, rrugën e njerëzve të lirë”. “Më ka marrë malli, por të ndiej përditë, sepse mundohem të eci në hapat e tua. Në hapat e një njeriu që kurrë nuk e tregtoi lirinë. Do eci, ta premtoj!”, e mbyll mesazhin e saj këtë 12 shtator Rudina Hajdari.

Ajo iu bashkua Partisë Demokratike në mënyrë aktive, në 2017, kur protestonte në Çadrën 90 ditore me kushtin e zgjedhjeve të lira, duke u bërë pjesë në zgjedhjet që pasuan marrëveshjen Rama-Basha si deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Rruga e saj me PD u nda, kur Rudina vendosi të qëndrojë në Kuvend, përkundër vendimit politik të opozitës për djegien e mandateve. Deri në qershor ajo ishte kryetare e Grupit Demokrat në Kuvend, deputetët e të cilit javët e fundit të sesionit e zëvendësuan me Myslim Murrizin. Tani ajo po ecën drejt formimit të një subjekti politik me aktivistë të nismës Thurje, ku nuk do ta ndjekin kolegët e saj të zemëruar të grupit demokrat.

https://www.facebook.com/story.php?story_fbid=1410089789335502&id=436352380042586