Alibeaj: Rama ka shkelur ligjin që ka miratuar po vetë, po favorizon krimin

WhatsApp Image 2020 09 12 at 11.55.54 1100x620

Partia Demokratike akuzon qeverinë se riktheu kazinotë – duke shkelur një ligj që e kishte miratuar vetë – në qendër të Tiranës për të favorizuar krimin. Sipas të djathtëve, kryeministri nuk mbajti premtimin ndaj qytetarëve për t’i kthyer paratë që merreshin në mënyrë abuzive në xhepat e tyre, por po përfiton nga paratë e pista.

“Lotët e krokodilit për familjet që mbeteshin pa bukë se kryefamiljari luante bixhoz, janë tharë tani, pak muaj para zgjedhjeve, kur në ortakëri me krimin ka marrë vendim qeverie në cilat kulla dhe në cilat rrugë në Tiranë lejohet hapja e kazinove.

Zonat janë:

•Sheshi Skënderbej, i rrethuar i gjithi me kulla gjigante në ndërtim.

•Sheshi pas pallatit të Kulturës, edhe aty është bërë pazari për një kullë.

•Parku Rinia, me kazinonë e Tajvanit

•Zona pranë Sahatit, ku po ndërtohet një kullë

•Zona pas ish-Teatrit Kombëtar, që provon edhe një herë se Edi Rama e shembi dhunshëm Teatrin për të ndërtuar edhe aty kulla për pastrimin e parave të pista jo vetëm në ndërtim, por tani edhe me kazino.

•Zona prapa Presidencës. Aty po ndërton ish-pronari i kompanisë më të madhe të bixhozit dhe që media e ka lidhur biznesin e tij me familjen e Edi Ramës”, tha Enkelejd Alibeaj.

PD i kërkon SPAK të hetojë, bazuar në vetë deklarimet e mëparshme të Ramës. “Takimet e javëve të fundit me eksponentë të krimit të organizuar janë një indicie e mjaftueshme që SPAK të zbulojë dhe hetojë një nga skemat më të zeza të Edi Ramës me botën e krimit. Vetë Edi Rama, i cili deklaroi dy vjet më parë se deputetët e tij ishin kërcënuar nga burgu 313 për të mos ndaluar lojërat e fatit, duhet t’u përgjigjet pyetjeve pa u fshehur pas heshtjes fajtore.

1. Për llogari të cilëve të burgosur tek 313-ta po mbush qendrën e Tiranës dhe ish-bllokun me kazino?

2. A përfitojnë nga ky vendim i marrë në fshehtësi ndonjë nga personat që ka takuar 2 net më parë apo gjatë javëve të fundit?

3. A është lejimi i kazinove pjesë e pazarit të mbyllur me shokët e përgjimeve të Vangjush Dakos?

Sa më shumë të heshtë Edi Rama për këto pyetje, aq më i kapur është nga krimi”, tha Alibeaj.