E paprecedent, Wolfsburg nuk do të zhvillojë konferencë shtypi në Tiranë, pyetjet… online

wolfsburg 1100x620

Sfida e Kukësit me Wolfsburg-un, në turin e dytë kualifikues të Europa League, vazhdon të krijojë situata të pazakonta. Pasi klubi i mirënjohur i Bundesligës i ofroi nënkampionëve të Shqipërisë 400 mijë euro që ndeshja të luhej në Gjermani, por u përball me refuzimin e UEFA-s, tashmë vjen një tjetër vendim i befasishëm.

Për shkak të masave anti Covid-19, Wolfsburg-u vendosi që konferencën zyrtare të trajnerit Oliver Glasner, për duelin e 17 shtatorit të mos e zhvillojnë në Shqipëri, por në Gjermani.

Për këtë arsye, zyra e shtypit të klubit nga Bundesliga, i kërkoi klubit të Kukësit që t’i dorëzojë pyetjet e gazetarëve shqiptarë, të cilave trajneri do t’u japë përgjigje nga 1,400 kilometër distancë.

Situata aspak normale e krijuar nga pandemia e koronavirus, ka bërë që shpeshherë futbolli të përballet me ngjarje të paprecedenta, pikërisht kjo përpara ndeshjes Kukësi-Volfsburg.