Fëmijët e bllokuar në Siri, Mide Ndregjoni: Të hënën me çantat para Kryeministrisë

Teksa shumë fëmijë të hënën i drejtohen shkollave, këtë fat nuk e kanë dy fëmijët e nënës nga Elbasani, Mide Ndregjoni. Prej 6 vitesh ata qëndrojnë të bllokuar në kampin famëkeq Al Hol. 

Thirrja për kthimin e fëmijëve të saj, ashtu si shumë të tjera që vinin nga Siria në kampin famëkeq Al Hol, nuk u dëgjua nga autoritetet përkatëse. Në nisje të vitit të ri shkollor, ajo gjen forcë t’i bëjë edhe një herë apel autoriteteve shtetërore që t’i kthejnë fëmijët. 

“Nuk vazhdoj dot më të gënjej veten çdo mëngjes duke u bërë gati çantat për shkollë dhe rrobat e hekurosura. Të hënën është 14 shtator, dita e parë e shkollës dhe unë vendosa të jem në shesh pranë Kryeministrisë me çantat e tyre të shkollës”, shprehet Ndregjoni.

Teksa shprehet e dërrmuar nga ky fat tragjik dhe pritje e gjatë, ajo thotë se bisedon rrallë me fëmijët, të cilët i thonë se e vemja rrugë për të dalë nga kampi i ferrit është ndërhyrja e shtetit.

Dy fëmijët e mitur, Eva dhe Endriti, u rrëmbyen nga babai i tyre 6 vjet më parë dhe së bashku me ta shkoi drejt Sirisë për t’ju bashkuar xhihadistëve në Shtetin Islamik. Një vit më pas, gjyshja e tyre Mentije Dumani shkoi drejt Sirisë për t’i tërhequr fëmijët, por edhe ajo mbeti e burgosur në kampin Al Hol, duke ndërruar jetë vetëm pak ditë më parë, pasi thirrjet për ndihmë u shuan dhe operacioni delikat që deklarojnë autoritet në Ministrinë e Brendshme nuk ka dhënë asnjë rezultat deri më tani.