Fshihej në Angli, por e dëbuan, kapet në Rinas i dënuari për vrasje

WhatsApp Image 2019 06 12 at 16.48.51 1100x620
Pamje arkive

Ndodhej në Rinas, pasi ishte deportuar nga autoritetet britanike, por ky nuk ishte problemi më i madh i një 54-vjeçari nga Patosi.

Gjeneralitetet e dhëna autoriteteve të aeroportit shqiptar nuk bindën punonjësit e Policisë Kufitare, që gërmuan më shumë në identitetin e personit, duke gjetur një të kaluar të errët.

Bëhej fjalë për Adrian Hoxha, i njohur edhe si Haziz Hysa, nga fshati Siceqë të Patosit, i dënuar në vitin 1998 me 16 vjet burg me akuzën e vrasjes.

I pandehuri akuzohej se kishte vrarë me një armë gjahu në vitin 1995 një bashkëfshatar, shtetasin M.Z., për motive të dobëta.

Hoxha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, por me sa duket kishte arritur t’i drejtohej Britanisë së Madhe. Personi iu dorëzua Patrullës së Përgjithshme të Policisë në DVP Fier, për shoqërim dhe veprime të mëtejshme.