Futbolli nuk rinis, Liga Profesioniste ultimatum qeverisë: Plotësoni kërkesat!

Realizimi i katër kërkesave për hartimin e një ligji favorizues për sportin. Ky është ultimatumi i vendosur nga presidentët e klubeve elitare në vend, që në mbledhjen urgjente të Ligës Profesioniste vendosën të mos heqin dorë nga bojkoti i kampionatit.

 “Presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore vendosën në unanimitet të plotë, që nuk do të rikthehen më në fushat e blerta, nuk do ta rinisin kampionatin, deri në përmbushjen e plotë që i kemi parashtruar qeverisë. Janë kërkesa minimaliste, që janë plotësuar në çdo vend të rajonit dhe të botës. Kërkojmë diçka që e kanë të gjithë”, u shpreh në fund të takimit presidenti i Apollonisë, Koço Kokëdhima.

Liga Profesioniste e Futbollit – Deklaratë për shtypVendim unanim i mbledhjes së datës 12 shtator 2020. 1) Klubet…

Posted by Liga Profesioniste e Futbollit on Saturday, September 12, 2020

Liga përzgjodhi delegacion zyrtar që kërkon të negociojë vetëm me qeverinë dhe kryeministrin Rama. Ai përbëhet nga presidenti i Tiranës, Refik Halili, presidenti i Partizanit, Gazment Demi dhe nga vetë presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima.

 “Delegacioni zyrtar që ka zgjedhur tryeza e presidentëve të Ligës Profesioniste, pret të diskutojë vetëm me qeverinë dhe kryeministrin, të cilët kanë aftësinë të përmbushin kërkesat tona, por kanë edhe obligimin që t’i qëndrojnë premtimeve të 18-19 muajve të shkuara”, deklaroi Kokëdhima.

Në fund, nuk mungoi replika për komentin e kryeministrit Rama, se teatri me futbollistët që figurojnë se paguhen si skllevër duhet të përfundojë.