“Illyrian Guard”, PD: Policia politike që Rama do të përdorë në zgjedhje
Partia Demokratike denoncoi përdorimin politik që sipas saj po bëhet nga Qeveria me shoqërinë shtetërore “Illyrian Guard”. E ngritur me qëllim ruajtjen e objekteve shtetërore, demokratët besojnë se ajo po kthehet në një polici politike.
“Kjo skemë është ideuar për t’i ardhur në shërbim një qëllimi shumë më madhor dhe jetik për kryeministrin e PPP-ve, ortakun e krimit të organizuar, autorin e kanabizimit të vendit, rrënuesit të ekonomisë dhe zbrazjes së vendit: krijimi i një policie politike, e cila më shumë se kurdo, do t’i duhet dhe do të përpiqet t’i vijë në ndihmë në zgjedhjet e ardhshme”
Departamenti i Antikorrupsionit, PD
Shoqëria “Illyrian Guard” u krijua me një Vendim të Këshillit të Ministrave në prill 2019, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit në ruajtjen e objekteve shtetërore dhe uljen e kostos për këtë shërbim që ofrohej nga të ashtuquajturat polici private.
Sipas Partisë Demokratike, vetëm për një periudhë 1-vjeçare, kjo shoqëri ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 4 milionë dollarë. Aktualisht ajo ka 500 punonjës për shërbimin e ruajtjes dhe 72 punonjës së administratës së saj, numër i cili është projektuar të rritet, pohojnë demokratët.
“Kjo strukturë e politizuar si e gjithë administrata, e korruptuar deri në palcë si vetë qeveria është shembulli më i mirë se si ka funksionuar e funksionon kjo qeverisje! Kjo polici private, ku vetëm bëhen tenderë e merren para korrupsioni për t’u futur në punë, është një cenim dhe për sigurinë shtetërore!”
Departamenti i Antikorrupsionit, PD
Partia Demokratike garanton se kushdo që ka ideuar, krijuar e zbatuar struktura të tilla, do të vendoset para ligjit!