Sulmet e 11 shtatorit, Amerika harron politikën për të kujtuar viktimat

Në një fushë të Pensilvanisë, në një prej memorialeve për sulmet e 11 shtatorit, presidenti Donald Trump dhe rivali demokrat Joe Biden, shtypën butonin e pushimit në zgjedhje, për të kujtuar jetët e humbura 19 vite më parë.

 “Sot nderojmë sakrificën e tyre të jashtëzakonshme dhe të gjithë ata që mbrojtën Amerikën”, u shpreh presidenti amerikan.

Trump dhe Biden, të shoqëruar nga bashkëshortet Melania dhe Jill, ndaluan të dy në Shanksville të Pensilvanisë, që është edhe një prej betejave kyçe në garën për Shtëpinë e Bardhë, megjithatë zgjodhën momente të ndryshme.

Në Nju Jork, Biden dhe zëvendëspresidenti Mike Pence “takuan” bërrylat në një moment të rrallë mirësjellje në Ground Zero, ku dikur ishin kullat binjake.

 “Nuk do të bëjmë lajm sot. Nuk do të flasim për asgjë tjetër veçse 11 shtatorit. Është një ditë solemne dhe do ta ruajmë si të tillë”, deklaroi Biden.

Në qytetin e Nju Jorkut ceremonitë u zhvilluan në memorialin e 11 shtatorit, aty ku si çdo vit që nga sulmi, lexohen emrat e viktimave përfshirë dhe ata të një sulmi në vitin 1993 ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë. Në të gjithë qytetin u mbajt një moment heshtjeje në orën 8:46 të mëngjesit me orën lokale pikërisht koha kur një nga avionët u përplas me Kullën Veriore.

Gati 3 mijë vetë u vranë, kur 4 avionë të rrëmbyer nga 19 terroristët te Al-Kaedës u përplasën me World Trade Center në Nju Jork, Pentagonin në Uashington dhe në një fushë të Pensilvanisë në Shanksville. Sulmi më vdekjeprurës në tokën amerikane që nga Pearl Harbori në 1941, ndryshoi përgjithmonë perceptimin e Amerikës mbi sigurinë dhe nxiti presidentin e atëhershëm George W. Bush të shpallte luftë kundër terrorizmit, çka pasoi me një luftë në Afganistan.