Zjarret masive në SHBA, dhjetëra persona të zhdukur në Oregon

Dhjetëra persona janë shpallur të zhdukur në Oregon pas zjarreve masive që kanë detyruar evakuimin e mijëra vetëve.

Guvernatorja Kate Brown iu lut qytetarëve që të qëndrojnë larg zonave të përfshira nga flakët, pavarësisht raportimeve se shumë prej banesave të braktisura kanë rënë pre e plaçkitjeve.

Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave do të jetë i lartë, ndërsa flasin për mijëra banesa të shkrumbuara. Deri më tani, 4 viktima janë konfirmuar në Oregon dhe 11 në shtete të tjera. 100 vatra zjarri vazhdojnë të digjen në 12 shtete amerikane, nga Kalifornia e Jugut në Uashington.

Gati i gjithë bregdeti perëndimor i Shteteve të Bashkuara është mbuluar me tym. Kalifornia po përballet me 5 prej vatrave më të mëdha të zjarrit të regjisturara ndonjëherë atje. Asnjë prej tyre nuk duket të jetë pranw shuarjes, një javë pasi temperaturat iu afruan 50 gradëve në Los Angeles. 10 persona janë konfirmuar si të vdekur e 16 të tjerë janë shpallur të humbur.

Alarmante situtata edhe në Uashington, ku mes viktimave ështe edhe një 1-vjeçar që humbi jetën ndërsa familja e tij përpiqej t’iu largohej flakëve. Zjarrfikës nga Kanadaja dhe Izraeli kanë mbërritur në vend për të ndihmuar. Në rang kombëtar, zjarret po djegin mbi 400 hektarë tokë çdo 30 sekonda, duke i kthyer ditët në natë e duke i dhënë qiejve një nuancë të frikshme të kuqërremtë.