Bojkoti i Kategorisë Superiore, Liga refuzon ftesën për takim në Ministrinë e Financave

liga profesioniste e futbollit 600x338

Nisja e Kategorisë Superiore vijon të jetë në pikëpyetje. Së fundmi, Liga Profesioniste ka refuzuar kërkesën e Fidel Yllit për të zhvilluar një takim në zyrat e Ministrisë së Financave për të diskutuar mbi kërkesat.

Në një postim në Facebook, sekretari i Ligës, Dritan Kadia, e vlerëson të panevojshëm një takim të tillë, pasi sipas tij, Liga Profesioniste e Futbollit i ka përcjellë të gjitha propozimet dhe kërkesat e saj pranë drejtuesve të kësaj ministrie shumë herë.

“I nderuar zoti Fidel, më duhet t’ju bëj me dije që Z. Libohova ka qenë pa qejf dhe nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Ligës dhe nuk ka pasur informacion mbi vendimet e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Anëtarëve. Duke ju falenderuar për ftesën që të takohemi në zyrat e Ministrisë së Financave, me keqardhje më duhet t’ju njoftoj se ne nuk e shohim të nevojshëm këtë takim pasi Liga Profesioniste e Futbollit i ka përcjellë të gjitha propozimet dhe kërkesat e saj pranë drejtuesve të kësaj ministrie shumë herë. Për më tepër kërkesat e Ligës nuk përmbushen me zgjidhje teknike të punonjësve të ministrisë, por me një vullnet të qartë politik që varet e mund të ndërmerret vetëm nga Kryeministri.

Përcilljani, ju lutem, Kryeministrit gatishmërinë dhe pritjen e delegacionit të Ligës për t’u takuar me të në zyrat e qeverisë. Duke përfituar nga rasti, bazuar në vendimin e Ligës, ju ftoj për një takim e diskutim miqësor në mjediset e Ligës”, thuhet në reagimin e Ligës.