Denoncimi i PD, 10 mësues të infektuar te “De Rada”, Vokshi: Qeveria të rrisë testimet

WhatsApp Image 2020 09 13 at 13.55.12 1100x620

Në emër të Partisë Demokratike, Albana Vokshi bëri denoncim për situatën alarmante të infektimeve në radhët e stafit arsimor.  Ajo iu referua një prej rasteve konkrete në shkollën “Jeronim de Rada”.

Sipas ish-deputetes, qeveria duhet të rrisë masat e higjienës në shkollë, numrin e mësuesve dhe t’i testojë të gjithë ata. 

“Në shkollën de Rada, fatkeqësisht, janë rreth 10 mësues që kanë rezultuar pozitivë me covid. Kjo është 1/4 e stafit mësimor. Është një situatë alarmante që do të vinte në lëvizje çdo qeveri në botë, por jo këtë tonën, e cila kërkon të bëjë vetëm show dhe të fshehë paaftësinë e saj.

Çfarë e bën gjendjen më skandaloze është pashpirtësia e kryebashkiakut të Tiranës. Ai ka përjashtuar nga ceremonia, sot, të gjithë mësuesit që kanë pasur kontakt të afërt me mësuesit e infektuar për të mos rrezikuar asgjë vetë.

Për PD jeta dhe shëndeti i çdo nxënësi, i çdo mësuesi është e shenjtë. Shkolla Jerenim de Rada nuk duhet hapur nesër. Le të vijë prapë Veliaj dhe Rama ta inaugurojnë, por nxënësit dhe mësuesit duhen kursyer. Ministria duhet të marrë masat që një shkollë me gjendje të rënduar nga COVID të mos nisë pa bërë testimin e mësuesve dhe pa u siguruar për ta.

Testimi Covid dhe serologjik do të evidentojë zonat e infeksionit dhe do të japë mundësi të izolojë përhapjen e virusit nga mësuesit te nxënësit dhe nga nxënësit te prindërit dhe gjyshërit. Testimi nuk i kushton shumë qeverisë. Mjafton që ajo të heqë dorë nga disa lukse të saj”, u shpreh Vokshi.