Kodi sipas Kushtetutës, të hënën grup pune dhe për ligjin e Presidentit

Kuvendi i shqiperise 1100x620

Të hënën, Kuvendi nis punën për përshtatjen e Kodit Zgjedhor bazuar mbi ndryshimet kushtetuese. Deputetët e Komisionit të Ligjeve do të punojnë paralelisht me Këshillin Politik, që mblidhet pasditen e së hënës, për të përshtatur në ligjin e zgjedhjeve mënyrën si do të funksionojnë listat e hapura dhe garohet pa koalicione.

Mazhoranca do të ngrejë një tjetër grup pune për të hartuar një ligj të posaçëm për kompetencat e Presidentit.  Kjo sipas gjetjeve të Komisionit Hetimor që nuk e shkarkoi Ilir Metën.

Ky i fundit, këtë të diel i kërkoi mazhorancës të tërhiqet nga një tjetër nismë shumë e kontestuar, paketa antishpifje, që sipas tij bie ndesh me Kushtetutën, shumë konventa dhe opinionin e Komisionit të Venecias.

“Solidarizohem me shqetësimin e organizatave të gazetarëve për riaktivizimin e përpjekjeve për të miratuar sërish një ligj për censurën e medias, në mungesë transparence dhe pa marrë parasysh opinionin e Komisionit të Venecias, që konfirmoi qëndrimin e drejtë që kam shprehur me dekrete për mospranimin e paketës antikushtetuese “antishpifje” të qeverisë.

Sipas përfaqësuesve të organizatave të gazetarëve: “Autoritete të larta të shumicës në qeveri kanë urdhëruar që ky ligj duhet bërë shpejt. Kjo duket qartë që është kopje e së njëjtës përpjekje flagrante e qeverisë për të goditur mediat. Dyshimet janë shumë të forta që ligji ka vetëm një qëllim brenda vetes: të godasë, intimidojë dhe të mbyllë gojën e mediave kritike”, shkruan Ilir Meta.