Nis shkolla, por nuk mjaftojnë të gjitha “hallet”, stresi do të jetë më i madh

Asgjë nuk do të jetë si më parë edhe në shkolla. Pa përqafime, larg njëri-tjetrit. Emocionet dhe buqetat e luleve këtë vit do të zëvendësohen nga termometri dhe maskat.

Mësimi me rregulla të reja, me disa turne, me orë të reduktuara dhe me rrezikun e infektimit ka shtuar ankthin te prindërit, fëmijët dhe mësuesit.

Specialistët e Shëndetit Publik këtë periudhë kanë konstatuar rritje të nivelit të stresit, veçanërisht për mënyrën e përshtatjes me rregullat reja.

Pavarësisht parashikimeve për rritje të rasteve pozitive edhe për specialistët kjo është një situatë e re dhe e panjohur. Ata kërkojnë respektimin e rregullave dhe raportimin për çdo shqetësim shëndetësor në formularin e shpërndarë tashme te prindërit.

Të hënën e 14 shtatorit, rreth 480 mijë nxënës do të nisin shkollën në kushte dhe me rregulla të tjera.

Më i vështirë normaliteti i ri do të jetë për 31 mijë nxënësit e klasave të para. Ndërsa për ata mësues dhe fëmijë që janë të infektuar me koronavirus, ky fillimviti i gjen në izolim, deri në shërimin e plotë nga infeksioni.