Shkollat nisin të hënën, masat nuk mjaftojnë, duhet ndërgjegjësim nga të gjithë

Këtë të hënë nxënësit rikthehen në bankat e shkollës. Mësimi do të zhvillohet në kushte pandemie dhe i strukturuar në turne, por sërish autoritet thonë se gjithçka varet nga kujdesi i nxënësve, prindërve e mësuesve, të cilët nuk duhet ta ulin vigjilencën, për të shmangur infektimin. 

“Periudha që po afron nuk do të jetë e lehtë dhe përveç forcimit të kapaciteteve të sistemit shëndetësor, për të cilat kemi marrë masa në planin e vjeshtë-dimrit, kërkon gjithashtu angazhimin e të gjithë qytetarëve, veçanërisht çdo prindi, për rolin e rëndësishëm që duhet të luajë secili prej nesh, për të frenuar përhapjen e Covid-19”, shprehet ministrja, që i bën apel prindërve të shndërrohen në “bashkëpunëtorët e parë me mjekun e familjes. Sinjalizojeni atë nëse ka diçka që shihni se nuk shkon te fëmija juaj. Mateni çdo ditë temperaturën fëmijës para se të niset për në shkollë”, tha ministrja Manastirliu.

Por a mjafton vetëm kujdesi dhe masat që ministria thotë se janë marrë për të shmangur infektimet masive?

“Në rast të një infektimi klinik, qoftë të mësuesve apo nxënësve do të ndiqet protokolli që nënkupton testim, gjurmim dhe izolim. Nëse do të izolohet mësuesi do të zëvendësohet me një tjetër. Nëse rasti do të jetë te nxënësit, do të bëhet gjurmim dhe nëse do të jenë më shumë se dy nxënës, do të mbyllet klasa”, u shpreh Nina Guga.

Por jo të gjitha shkollat janë gati për të nisur mësimin. Në Durrës shkolla e mesme teknologjike “”Hysen Çela”, e dëmtuar nga tërmeti nuk do të hapet.