Bie zilja në shkollat italiane. Rinis mes pasigurisë dhe shpresës viti i ri shkollor

Pas gati 6 muajsh, zilja ka rënë sërish në shkollat italiane. Nën një protokoll strikt rregullash kundër koronavirusit, rreth 5,6 milionë nxënës u rikthyen në banka në 13 rajone të shtetit që e provoi rëndë në kurriz efektin e pandemisë.

7 rajonet e mbetura vendosën ta shtyjnë ditën e parë edhe me një javë. Ndërsa frika dhe pasiguria është e madhe, autoritetet e vënë theksin te rëndësia e rihapjes së institucioneve arsimore dhe bëjnë thirrje për përgjegjësi. 

“Nxënësit kanë shumë dëshirë të rikthehen në klasa. Ky do të jetë një vit kompleks, e dimë, por kemi punuar shumë dhe kemi ndërtuar një strategji parandalimi që do të funskionojë nëse të gjithë të kryejnë me përgjegjësi pjesën e tyre”, tha Lucia Azzolina, ministre e Arsimit.

Rikthimi në banka ishte i shumëpritur, pavarësisht sinjaleve të kudo ndodhura për distancim social, dezinfektueseve dhe kontrollit të temperaturës që kujtonin se ky vit do të jetë çdo gjë tjetër përveçse i zakontë. Të gjithë nxënësve që do të kenë temperaturë mbi 37 e gjysmë do t’u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa sa i përket maskave, Komiteti Teknik Shkencor rekomandon përdorimin e atyre kirurgjikale.

Politikat strikte të distancimit social përfaqësojnë një sfidë të vështirë për fëmijët dhe prindërit që u rikthyen në shkolla me shqetësim, por edhe shpresë.

Shumë prej 2,4 milionë bankave teke që nevojiten për të garantuar distancimin nuk kanë mbërritur në kohë, sipas sindikatave, ndërsa mijëra vende mësuesish mbetën vakante si pasojë e frikës për infektim. Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, 59 për qind e mësuesve italianë janë mbi moshën 50-vjeçare, më e larta kjo në Europë, çka e bënë sistemin të cenueshëm ndaj infektimit.