Dasho: Brenda shkollës ka siguri, por prindërit janë rreziku i përhapjes së virusit

Erion Dasho, specialist i shëndetit publik, deklaroi në një lidhje direkte me A2, se fëmijët janë të sigurt brenda shkollës, por problemi është se Shqipëria është një vend me transmetim komunitar të koronavirusit.

“Brenda shkollës ka siguri. Edhe nëse preken fëmijët, mundësia për ndërlikime në shëndetin e tyre është shumë e vogël. Unë do të isha i qetë për ruajtjen e shëndetit të fëmijëve. Por, në mjedisin shqiptar, shkolla ndodhet në një vend me transmetim komunitar, ku ka me dhjetëra, mijëra persona të padiagnostikuar, pasi në Shqipëri nuk testohet. Në Gjermani masat nuk merren sa për sy e faqe. Nuk ka grumbuj prindërish pa maska nëpër shkolla. Nuk është shkolla rreziku, por prindërit që rrinë grumbull pas gardhit të shkollës dhe që çojnë fëmijët në shkollë me transport publik pa maska dhe pa distancë”, tha Dasho.

Sipas tij, “testimi është shumë i rëndësishëm”.

“Nëse në Angli rezulton një nxënës pozitiv, protokolli parashikon testimin e të gjithë nxënësve të shkollës. Në Shqipëri, me atë numër testimesh që bëhen në ditë, është e pamundur”, theksoi Dasho.

“Qeveria duhet të testojë, gjurmojë dhe trajtojë. Nëse nuk bëhen këto, nuk ke kontroll mbi virusin. Nëse nuk nisim të veprojmë në këto linja, ne jemi në mëshirën e virusit”, shtoi Dasho.