Ekskluzive/Përpjekjet e Bekim Fidanit për të larguar fëmijët nga Siria

Bekim Fidani nga Gostivari, i njohur ndryshe dhe si krahu i djathtë i Lavdrim Muhaxherit, iu bashkua Shtetit Islamik së bashku më fëmijët e tij.

Në brendësi të kampit Al-Hawl, Osama nuk kishte informacione për babanë e tij, por pas disfatës së Shtetit Islamik në veri të Sirisë, Fidani tentoi t’i rikthente fëmijët e tij dhe ata shqiptarë të sigurt për jetën.

Në mesazhet e mbërritura në redaksinë e A2 dëgjohen të shtënat e armëve ndërsa mësohet se Fidani ka qenë në qëndresën e fundit të Shtetit Islamik në Baguz.

“Sa për atë, mos u mërzit ti, se dje unë bisedova me fëmijët e mi dhe më thanë që ndodhen atje afër dhe i thashë unë që të marrin një numër për të kontaktuar. Inshallah nuk shkon gjatë. Do mundohem që kur të dali familja ime të dalin dhe ata. Për çdo rast do të jem unë në kontakt me djalin tim. Por duhet pak qetësi. E rëndësishme është që janë bashkë dhe kur të dalë i pari do të dalin të gjithë. Por nuk duhet të bisedosh me njeri tjetër pasi i ruajnë më shumë”, shprehet Fidani në mesazhet e tij të siguruara nga A2.

Fidani thotë se i ka kërkuar djalit të tij të marrë një numër telefoni në mënyrë që të kontaktojë me të, por edhe personin i cili pretendohej se do i nxirrte jashtë Sirisë.

“Gjithashtu i kam thënë që duhet të marri një numër telefoni që të kem kontakt me të dhe personi që do t’i nxjerrë të ketë kontakt me djalin tim. Për çdo rast ata do të jenë bashkë”, thuhet në mesazhin audio.

Sipas tij rrjeti është i dobët ndërsa shpresa ishte për daljen e fëmijëve të sigurt jashtë Sirisë, por që përfunduan në Al–Hawl.

“3 persona kanë premtuar që do t’i nxjerrin. Por sa të vijë momenti. Ata do të dalin me familjen time dhe pastaj do të ndahen”.