Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Fillimi i shkollës, Baçi : Të jemi mirëkuptues me fëmijët, i ka ndryshuar bota

Nga A2 CNN
14 Shtator 2020, 10:04 | Sociale
Fillimi i shkollës, Baçi : Të jemi mirëkuptues me

Dita e parë e shkollës, krahas emocioneve të përhershme të nxënësve, këtë vit ka edhe domethënie dhe pasoja të ndryshme, të ndikuara nga pandemia.

Ende nuk dihet, për shembull, sa do të zgjasë vetë procesi normal mësimor.  Në një vend të përparuar si Izraeli, pas vetëm disa javëve mësimi po propozohet sërish mbyllja totale. Për opinionistin Agim Baçi, diçka e tillë do të ndodhë edhe në Shqipëri. “Protokollet do të çojnë edhe në Shqipëri në një situatë të tillë, për 2-3 javë do të kthehemi në online, vetëm se nuk i dimë mirë rezultatet e mësimit online te fëmijët”, thotë ai.

Baçi fton mësuesit dhe veçanërisht prindërit të jenë mirëkuptues ndaj fëmijëve, sepse atyre “i ka ndryshuar bota e përditshme, në raport me mësimin, por edhe në proceset e socializimit.

“I duhet shpjeguar fëmijës të mos mbetet keq në qoftë se shokët ose mësuesit nuk i japin dorën. A e mposhtim dot dashurinë e madhe të fëmijëve për të folur dhe ndenjur me njëri-tjetrin, ndërkohë që ne u themi gjithmonë për rëndësinë e shokëve? Është paradoks i vështirë për t’u kuptuar”, thotë Baçi.  

Ndikimi nuk do të jetë vetëm psikologjik, por mund të rrezikojë edhe vetë objektivat pedagogjike. “Mësuesit do të kenë më shumë vëmendje te protokolli se te mësimdhënia . Do ketë pasoja pothuajse të pariparueshme në disa zona, sidomos në ato rurale, ku nuk ka asnjë shans të ketë lidhje me internet, pra është i sigurt ndikimi negativ”, shton Baçi për A2.

Baçi këshillon që fëmijët dhe të rriturit të kuptojnë sa më shpejt që bota nuk do të jetë më si më parë, një periudhe ku nuk je përgjegjës vetëm për veten, por edhe për ata që na rrethojnë. Megjithatë, duhet të ruajmë qenien njerëzore, komunikimin ballë-përballë, sepse kontaktin me sy nuk e zëvendëson asnjë komunikim online. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani