Fillon shkolla, fëmijët kthehen në klasa me maska dhe me rregullat e pandemisë

Pas 6 muajsh shkëputje, nxënësit rikthehen në shkolla, por jo si më parë. Me maska, alkool, matje temperature dhe porosi nga prindërit, fëmijët i janë drejtuar klasave.

Ky do të jetë rituali i përditshëm i fëmijëve për hyrjen dhe daljen nga shkolla. Në distancë nga njëri-tjetri, pa praninë e prindërve në territorin e shkollës dhe nën mbikëqyrjen e mësuesve.

Edhe më i vështirë ky vit është për më të vegjlit, nxënësit e klasave të para. Klasat nuk janë mikpritëse si dikur, në vend të luleve ka alkool, gjithçka duket e panjohur ashtu si dhe zilja e parë.

Mësuesja Anila Hoxha

Ndryshe nga  të vegjlit, mësuesit do të jenë gjithë kohës me maskë. E vështirë për ta do të jetë edhe distanca që duhet të mbajnë me nxënësit e klasave të ulëta. “Ky është vit ndryshe nga vitet e tjera, do të japim maksimumin së bashku me prindërit të kalojmë këtë situate kaq të vështirë”, thotë mësuesja Anila Hoxha.

Në këtë vit të ri dhe të pazakontë nga pandemia, drejtuesit e shkollave kërkojnë bashkëpunimin e prindërve për respektimin e të gjitha rregullave. Plotësimi i përditshëm i formularit është një  prej tyre.

Drejtoresha e shkollës “Sabahudin Gabrani”, Astasi Keri.

“Tashmë ky protokoll do të jetë për të gjithë nxënësit. Pra prindi do të konfirmojë që fëmija ka qenë mirë,  kështu do të bëjë edhe mësuesi. Shpresoj të kemi mirëkuptimin e prindërve që të lënë fëmijët te porta dhe të vazhdojë punën e tij, që ne të vazhdojmë punën tonë”, thotë për A2 drejtoresha e shkollës “Sabahudin Gabrani”, Astasi Keri.

Edhe më strikte janë rregullat në shkollat e mesme ku nxënësit e kanë të detyruar mbajtjen e maskës gjatë gjithë kohës që janë në shkollë. Për shkak të pandemisë rreth 480 mijë nxënës të arsimit parauniversitar do ta zhvillojnë mësimin  me orë të reduktuara, me turne  dhe aty ku do të ketë raste infektimi,  mësimi do te kthehet online.