Franca armatos Greqinë, Turqia nuk pret sanksione nga BE për tensionet në Mesdhe

Turqia nuk pret të ballafaqohet me sanksione të Bashkimit Europian lidhur me tensionet me Greqinë në Mesdheun Lindor.

Ministri i Jashtëm, Mevlut Cavusoglu, u shpreh me bindje për këtë deklaratë e cila vjen pasi qeveria e Ankarasë, tërhoqi një anije survejimi nga ujërat e kontestuara.

BE thotë se mbështet plotësisht dy vendet anëtare Greqinë dhe Qipron, në mosmarrëveshjet me Turqinë dhe ka përpiluar një listë me sanksione potenciale nëse nuk fillon dialogu mes palëve. Vendimi për aktivizimin e tyre do të merret gjatë samitit të 24 dhe 25 shtatorit. 

“Të them të drejtën nuk pres që me 24 dhe 25 shtator të ketë një vendim për sanksione. Ekziston një mundësi, por çfarë mund të jenë? Mund të jenë kundër anijes sonë, kompanive apo individëve. Ata kanë ndërmarrë vendime të tilla në të shkuarën. Por a jemi dorëzuar ne? Përgjigja është jo, madje kemi rritur përkushtimin”, tha Cavusoglu.

Ndërkohë, vendimi i Turqisë për tërheqjen e anijes që eksploronte në ujërat e kontestuara për të zbuluar depozita gazi dhe nafte është përshëndetur nga Greqia që e konsideron një shenjë pozitive për të zbutur tensionet mes palëve.

Por Ankaraja zyrtare pohon se operacionet do të rifillojnë së shpejti, pasi anijet janë ankoruar në port për një mirëmbajtje rutinë. Qeveria e presidentit Rexhep Tajip Erdogan ka pranuar kërkesën e BE-së për dialog, por kërkon që të mos vendosen parakushte. Në kundërshtim me gatishmërinë për bisedime, Greqia ka rritur fuqinë e saj ushtarake së fundmi me blerjen e disa avionëve bombardues nga Franca, 4 luftanijeve dhe pajisjeve të tjera.