Hysaj, pranë rinovimit me Napolin. Zbardhen detajet e kontratës së re

hysaj 1100x620

Pas shumë spekulimeve në merkato, apo mundjes së krahut me klubin, në fund Elseid Hysaj duket i destinuar të qëndrojë te Napoli. Kapiteni i Shqipërisë është pranë rinovimit të kontratës me klubin, natyrisht me terma të përmirësuar financiarë.

Sipas mediave italiane, tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes, sipas të cilës mbrojtësi kuqezi do të përfitojë 2,5 milionë euro në sezon deri në vitin 2025. Sinjalet pozitive kanë ardhur pas takimit ndërmjet drejtorit sportiv të klubit, Giuntoli dhe menaxherit të lojtarit, Giuffredi.

Rinovimi me Elseid Hysajn është mbështetur nga trajneri Genaro Gattuso, i cili e vlerëson si një element mjaft të vlefshëm. Ishte pikërisht ish-mesfushori i Italisë ai që e riktheu mbrojtësin në formacion, pas periudhës së errët me Ancelotti.

Pas plotësimit të kushtit që Hysaj të vlerësohet si pjesë e rëndësishme e projektit, te Napoli vendosën t’i përmirësojnë edhe kushtet në kontratë. Edhe pse shkodrani ka qenë titullar prej vitit 2015, me 1,6 milionë euro pagë, ai ishte jashtë “top 10” lojtarëve më të paguar të klubit. Me kontratën e re, Hysaj do të paguhet në nivelin e Milik e Ghoulam, ndërsa Napoli eviton largimin e një prej yjeve të ekipit me parametër zero.