“Ia hodha edhe këtë herë”… Berlusconi shërohet nga koronavirusi

SHEROHET BERLUSKONI frame 2252 1100x620

“Ia hodha edhe këtë herë”. Me këto fjalë, 83-vjeçari, Silvio Berlusconi, la pas krahëve atë që quajti sfidën më të rrezikshme të jetës së tij, betejën me koronavirusin. Pas 10 ditësh i shtruar në spitalin “San Rafaele” në Milano pasi rezultoi pozitiv me Covid-19, ish-kryeministri karazimatik i Italisë, u shfaq i buzëqeshur përpara mediave për të njoftuar shërimin, e për t’u kërkuar italianëve të tregohen të përgjegjshëm.

“Ishte një test i vështirë dhe e them këtë me emocion; falë Zotit dhe profesionalizmit të mjekëve të spitalit “San Rafaele” unë e kalova atë që e konsideroj ndoshta si sfidën më të rrezikshme të jetës sime. Mjekët në spital u çuditën me ngarkesën virale që evidentuan tek unë, më e larta mes dhjetëra mijëra të vëzhguara në “San Rafaele”. Fatmirësisht, kur ma thanë këtë unë isha në fazën e shërimit nga pneumonia e dyanshme. Gjithsesi i them vetes me kënaqësi; ia hodhe edhe këtë herë”, tha Berlusconi.

Mjeku personal i “kavalierit”, Alberto Zangrillo tha javën e kaluar se manjati i medias konsiderohej si pacient me rrezik të lartë, për shkak të moshës dhe problemeve të tjera shëndetësore. Zangrillo pohoi se Berlusconi do të kishte vdekur nëse do të përballej me të njëjtat simptoma në muajt mars dhe prill, por se tani mjekët ishin më të ditur e të pajisur mirë, lidhur me sëmundjen. Berlusconi u infektua ndërsa gjendej me pushime në vilën e tij në Sardenja.