Ikën “aristokrati” Abe, “plebeu” drejt postit të kryeministrit japonez

abe suga 1100x620

Në Japoni u përcaktua figura që do të zëvendësojë, Shinzo Abe, si kreun e qeverisë së ardhshme në Tokyo.

Partia Liberal Demokrate në fuqi votoi me 70% të votave Yoshihide Suga si liderin e saj, çka do të thotë se emërimi i tij të mërkurën si kryeministër shndërrohet në një formalitet.

Edhe pse Suga ka qenë me vite krahu i djathtë i Abes, si shef i Kabinetit, historitë e tyre nuk mund të ishin më të ndryshme.

Shinzo Abe, kryeministri më jetëgjatë i historisë së Japonisë, i ndalur së fundmi nga një sëmundje prej së cilës vuan prej vitesh, vjen nga një familje aristokrate dhe e angazhuar politikisht, me të atin që ka qenë Ministër i Jashtëm dhe dy kushërinj që kanë shërbyer si kryeministra.

Ndërkohë, Suga ka lindur në një familje tejet e varfër, në provincë, dhe për t’u mbajtur ekonomikisht ka punuar edhe në fabrika peshku.

Detyra e tij nuk do të jetë e thjeshtë, nga momenti që indeksi i kënaqësisë së Abe kishte rënë poshtë 36%. Kryeministri Abe akuzohet më së shumti  për borxhin e madh të mbledhur gjatë viteve nga qeveria, si dhe për një mungesë iniciative për t’u përballuar me problemin e plakjes graduale të popullsisë.

Analistët politikë në Tokyo janë kuriozë, sepse deri më tani 71-vjeçari ka qenë gjithmonë personi mbrapa skenës dhe jo lideri që japonezët duartrokasin dhe janë gati të ndjekin.