“Lesbosi është burg”, emigrantët refuzojnë të hyjnë në kampin e ri

EMIGRANTET LESBOS.duplicate frame 160 1100x620

Rrugët e Lesbosit vazhdojnë të jenë të mbushura me emigrantë, ndërsa shumë prej tyre refuzojnë të hyjnë në tendat e përkohshme të ngritura nga qeveria, pas djegies së kampit të Morias javën e kaluar. Një grup prej dhjetëra grash marshuan nëpër rrugë duke thërritur, “jo kamp, liri!”, ndërsa në pankartat që mbanin në duar lexohej “rroftë Merkel!”, dhe “Europë, na ndihmo!”.

“Është shumë e vështirë për gratë dhe fëmijët. Askush nuk mund të bëjë gjë për këtë situatë, vetëm Europa e bashkuar mund të na ndihmojë. Nuk duam të qëndrojmë në këtë ishull, i cili është si një burg”, tha një emigrant nga Afganistani.

Ministri i Emigracionit, Notis Mitarachi tha se autoritetet shpresonin të zhvendosnin të gjithë emigrantët e prekur nga zjarri në Moria, te një kamp i përkohshëm me tenda, deri në fund të javës, duke i bëre thirrje atyre të shkojnë atje.

Rreth 600 persona kanë hyrë deri më tani në kamp, ku janë konfirmuar 14 raste me koronavirus. Shqetësimet u rritën kur 35 persona të infektuar me Covid-19 në Moria, ishin larguar pas shpërthimit të zjarrit. Ministri i Emigracionit tha se procesi i azili do të rifillojë javën e ardhshme brenda kampit të ri, i cili do të mbyllet gjatë natës e do të ruhet nga policia. Por, shumë emigrantë refuzojnë të hyjnë duke e cilësuar atë një tjetër Moria.

Në kampin famëkeq me kapacitet prej 3 mijë personash jetonin në kushte çnjerëzore rreth 13 mijë vetë. Greqia dhe Bashkimi Europian thanë javën e kaluar se një kamp i ri modern do të zëvendësonte Morian, por plani kundërshtohet nga banorët e zonës. Shtetet europiane kanë filluar të dërgojnë ndihma humanitare për emigrantët në Greqi.