Në ditën e parë të shkollës ikën ministrja e Arsimit Besa Shahini, emërohet Evis Kushi

evis kushi besa shahini 1100x620

Besa Shahini është larguar nga detyra si ministre e Arsimit. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Rama, ndërsa këtë pozicion do ta marrë tashmë, Evis Kushi.

Pasi e falënderoi për kontributin e dhënë në krye të këtij institucioni kaq të rëndësishëm, Rama u shpreh se puna e ministrisë së Arsimit ka pësuar një ndryshim radikal. “Besa të falenderoj për gjithë kontributin e madh që ke dhënë, jam i bindur që edhe çfarë nuk është arritur do të vlerësohet për shkak të kohës aktuale. E vërteta është që puna e ministrisë së Arsimit ka pësuar një ndryshim radikal. Lindita ka hapur një kantier reformash në të gjithë spektrin. Besa ka një familje të krijuar rishtas që e ka detyruar të kthehet në Prishtinë”, u shpreh kryeministri Rama.

“E kam të vështirë të vazhdoj një mandat tjetër larg familjes. Ky post është vështirë të mbahet nga unë. PS duhet ta fitojë edhe një mandat tjetër nëse duam ta shikojmë Shqipërinë të ecë më përpara. Kryeministri tregoi kurajë që përfshiu në politikë aktivistë nga Kosova. Ka qenë e paimagjinueshme që ngrihet opozita e akuzon që ministrja flet me dialekt. Një argument gati-gati racist”, u shpreh Besa Shahini pasi i la detyrën pasardhëses së saj.

“Është një privilegj i lartë për mua, pas 7 vitesh angazhim të jem ministre. Kjo është një përgjegjësi e madhe për të drejtuar sektorin ku kam punuar për 23 vite. Është një përgjegjësi e lartë të drejtoj këtë institucion të lartë. Elbasani është djepi i arsimit në Shqipëri. Gjej një rrugë të shtruar me shumë reforma, por që duhet të punojmë më shumë. Sot nisëm vitin e ri shkollor, ku u inauguruan dhe disa shkolla të reja”, tha ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi.