Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Ngërçi për koalicionet, opozita kërkon mendimin e OSBE-ODIHR, PS nuk e mirëpret

Nga A2 CNN
14 Shtator 2020, 20:00 | Politikë
Ngërçi për koalicionet, opozita kërkon mendimin e

Dalin detaje nga mbledhja e Këshillit Politik ku po diskutohet për çështjet e koalicioneve parazgjedhore dhe listat e hapura.

Burime për A2 bëjnë me dije se opozita ka kërkuara mendimin e OSBE-ODIHR në lidhje me koalicionet parazgjedhore, propozim ky që nuk është mirëpritur nga ana e përfaqësuesve të mazhorancës në këtë këshill.

Mësohet se Damian Gjiknuri të jetë shprehur se ndryshimet kushtetuese tashmë kanë hyrë në fuqi dhe nëse i do apo jo opozita ato është një tjetër çështje.

“Kemi Kushtetutën në fuqi dhe detyrimin për ta reflektuar në Kodin Zgjedhor. Ju lutem, ju ftoj që në ditët e ardhshme, deri të premten të sillni propozimet tuaja për: 1) pragun kombëtar zgjedhor, 2) afatet e paraqitjes së listës unike nga aleancat dhe 3) si do kryhet aspekti procedurial i votimit për kandidatët, në kushtet e listave të hapura duke ruajtur kuotat gjinore. Nuk duhet humbur kohë. Duhet t’i japim bazën ligjore të plotë institucioneve që të përgatisin zgjedhjet”, ka thënë Gjiknuri.

Sipas Gjiknurit, kërkesa për të kërkuar në këtë fazë mendimin e ODIHR është e çuditshme pasi ishte opozita që detyroi një marrëveshje në 5 qershor, e cila binte në kundërshtim me rekomandimin kyç të ODIHR që ishte depolitizimi i administratës zgjedhore.

“Atëherë nuk donit të pyesnit për ODIHR ndërsa tani qenkeni kujtuar t’i kërkojmë mendim! Ne pranuam atë çka kërkuat ju në 5 qershor dhe firmosëm bashkërisht, pikërisht për t’ju plotësuar kërkesat. Gjithsesi e kemi firmosur atë marrëveshje dhe i kemi qëndruar asaj plotësisht”, mësohet të jetë shprehur Gjiknuri.

“Marrëveshja e 14 janarit thotë se ndërsa negociojmë mbi rekomandimet e ODIHR dhe nuk biem dakord atëherë i drejtohemi ODIHR. Nuk kemi një rekomandim për listat e hapura dhe as për ndryshimet në Kushtetutë nga ODIHR ndaj nuk kemi çfarë opinioni t'ju kërkojmë. Unë ju them se jam i gatshëm që pasi të kemi përmbyllur produktin e reflektimit të ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor, t’i themi ODIHR se si e sheh. Qëndrimi juaj i sotëm synon që të mos zbatohet Kushtetuta dhe thoni hajdeni futemi në zgjedhje me një kod që bie ndesh me Kushtetutën”, shtoi më tej Gjiknuri.

Pak më parë, Rudina Hajdari u largua nga mbledhja e Këshillit Politik, për shkak të agjendës së saj. Ajo tha se ka kërkuar korrektim në lista që të garantohet përfaqësimi gjinor dhe ka kërkuar të dijë si do sigurohet vota e emigrantëve.

A2 CNN Livestream

Dita jonë