Nis viti i ri shkollor në Kosovë. Vetëvendosje, akuza qeverisë

Nxënësit u kthyen në shkolla në Kosovë pas një pushimi prej disa muajsh. Ora e parë iu dedikua tërësisht informimit dhe ndërgjegjësimit të fëmijëve për infeksionin Covid-19.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, u bëri thirrje nxënësve që të respektojnë masat në fuqi dhe udhëzimet higjieno-sanitare bashkë me distancimin fizik. Të gjithë janë të obliguar të mbajnë maska dhe MASH ka ndarë gjysmë milioni të tilla në shkollat në Kosovë.

Kryeministri, Avdullah Hoti, uroi nxënësit për vitin e ri shkollor dhe kërkoi kujdes maksimal.

Mësimdhënia është ndarë në disa faza, në bazë të vendimit të ministrit të Arsimit dhe Shkencës për fillimin e vitit të ri shkollor në kushtet e pandemisë koronavirus. Në këtë fazë të parë, në banka janë kthyer parashkollorët, klasat e para, dyta, treta, gjashta dhe dhjeta. Klasat e katërta dhe të pesta nisën mësimin në mënyrë të kombinuar në shkolla dhe online, në varësi të kapacitetit në godina. Ndërsa për klasat e shtata, teta, nënta, njëmbëdhjeta e dymbëdhjeta, mësimi do të jetë dy ditë në klasa dhe 3 ditë “online”.

Ndërkohë, mënyra e zgjedhur nga qeveria e Kosovës për nisjen e vitit të ri shkollor është kundërshtuar nga partitë opozitare. Lëvizja Vetëvendosje akuzon ekzekutivin e kryeministrit Hoti për paaftësi dhe pretendon se plani i Ministrisë së Arsimit ka hutuar nxënësit, mësuesit dhe vetë prindërit.