Angli, klubet takohen me qeverinë për hapjen e stadiumeve

anfield 1100x620

Ndodh edhe përtej Shqipërisë që klubet e futbollit t’i vendosin kushte qeverisë, për t’i ndihmuar të dalin nga kriza e thellë financiare.

Diskutimet më të fundit kanë lindur në Angli, kampionatin që prodhon miliarda euro të ardhura nga shitja e të drejtës televizive. Premier League shpreson të rinisë negociatat me qeverinë, që stadiumet të hapin dyert për tifozët. Vetëm pak ditë më parë, klubet angleze refuzuan planin e qeverisë që të ulte në 1000 spektatorë numrin e të pranishmëve në impiante gjatë ndeshjeve. Shifra është tepër e vogël dhe skuadrat e futbollit preferuan që ky plan të mos zbatohej.

Por, tashmë është hapur një tjetër mundësi dhe, sipas BBC, gjatë kësaj jave, drejtuesit e futbollit do të takohen me përfaqësuesit e qeverisë për të përpiluar një plan të detajuar, duke nisur nga 1 tetori. Kryeministri Boris Johnson ka emëruar Sekretarin e Shtetit për Sportin, Oliver Dowden, që të kryesojë negociatat për të arritur një marrëveshje.

Klubet besojnë se me gjithë rritjen e rasteve të infektimeve në Britaninë e Madhe, hapja graduale e stadiumeve për tifozët mund të realizohet. Liga e Futbollit ka vlerësuar se së bashku me Premier League, klubet e të gjitha niveleve në Angli humbasin rreth 120 milionë euro në muaj nga stadiumet e mbyllura. Dëmi ekonomik në nivel lokal dhe kombëtar është mjaft i madh, pasi në futboll janë të punësuar mbi 100 mijë persona, ndërsa klubet rrezikojnë falimentimin nëse edhe ky sezon do të luhet pa tifozë.