Bylykbashi: Mazhoranca kërkon që të zhdukë partitë pas logove të koalicionit

Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik, komentoi në studion e “Ditari” në A2 mosmarrëveshjet në Këshillin Politik, duke theksuar se “kriza politike është krijuar nga ndërhyrja e njëanshme duke ndryshuar sistemin zgjedhor në Kushtetutë”.

“Këshilli Politik është ngritur mbi bazën e marrëveshjes së 14 janarit që synonte të trajtonte rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Kjo u përmbush me Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe opozita e dha kontributin e saj. Kriza politike është krijuar nga ndërhyrja e njëanshme duke ndryshuar sistemin zgjedhor në Kushtetutë. PS-ja e deformoi rëndë sistemin dhe në këtë situatë është rimbledhur Këshilli Politik. Mazhoranca kërkon që të zhdukë partinë pas logove të koalicionit dhe të mos hapë 100% listat. Për sa kohë nuk biem dakord për koalicionet, kërkuam asistencën e OSBE/ODIHR-it”, tha Bylykbashi.

Sipas tij, ndryshimet që po bën PS-ja dhe po i bën fakt të kryer, opozita nuk do t’i njohë.

“Edi Rama, me çfarëdolloj strategjie, ka humbur zgjedhjet. Çdo ndryshim në sistemin zgjedhor nuk i jep fitoren humbësit. Ai po përpiqet se si të reduktojë thellësinë e humbjes. Po përpiqet që zgjedhësit të mos zgjedhin partinë që duan, duke e fshehur pas një logoje koalicioni. Më 17 shkurt regjistrohen partitë dhe ndryshimi i rregullave 3-4 muaj para zgjedhjeve, Komisioni i Venecias e quan manipulim të rezultatit”, nënvizoi Bylykbashi.

“Edi Rama është duke angazhuar kriminelë dhe të korruptuar nëpër qarqe. Por, asgjë nga këto nuk ndryshon dot rezultatin. Ne i qëndrojmë Marrëveshjes së 5 Qershorit njësoj siç e kanë përshëndetur ndërkombëtarët”, shtoi Bylykbashi.

Në lidhje me partinë e re Nisma, Bylkbashi u shpreh: “Është një parti që ia lejon ligji të regjistrohet dhe që do të ketë shansin të garojë. Ne kemi merak që shqiptarët të kuptojnë që t’i besojnë një oferte solide, që e ofron opozita e bashkuar. E mira e demokracisë është që kushdo mund të tentojë dhe të provojë veten, por përgjegjësia e madhe është e opozitës së bashkuar, që i ofron shqiptarëve rikthimin e të drejtave”.