Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Delegacionet ushtarake në tryezë, Greqia do respekt nga Turqia: T’i japë fund provokimeve

Nga A2 CNN
15 Shtator 2020, 21:54 | Bota
Delegacionet ushtarake në tryezë, Greqia do respekt nga Turqia:

Greqia i shtrin dorën e pajtimit dhe bashkëpunimit Turqisë pas tensioneve tepër të larta të shënuara në javët e fundit. Kryeministri Kyriakos Mitsotaqis përshëndeti angazhimin e Ankarasë për zbutjen e krizës në Mesdheun Lindor duke tërhequr anijet eksploruese për gaz dhe naftë nga ujërat e kontestuara.

“Respekti i ndërsjellë dhe besimi janë kushtet bazë që kërkohen për një marrëdhënie të mirë fqinjësore. Sa i përket shqetësimeve tona, është ajo që kemi përsëritur shumë herë, dhënia fund e provokimeve nënkupton nisjen e bisedimeve. Pra, nëse ne kemi prova të besueshme dhe të vazhdueshme për këtë, ne jemi gati të nisim menjëherë, e theksoj këtë, menjëherë, bisedimet për eksplorime”, tha kryeministri grek.

Kriza shumëvjeçare mes dy shteteve anëtare të NATO-s u ndez muajin e kaluar me kërkimet e Turqisë për pasuri nënujore, në një territor që kontestohet edhe nga Greqia. Tensionet arritën kulmin sa që Ankaraja dhe Athina vendosën në lundrim disa luftanije, duke lënë të kuptohet se palët mund të përfshihen në një përballje ushtarake.

Bashkimi Europian ka ndërhyrë duke mbajtur anën e Greqisë dhe Qipros, teksa kërcënon Turqinë me sanksione. Këtë qëndrim e përforcoi dhe presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel gjatë një vizite në Athinë.

Ndërkohë, në një farë mënyre dialogu mes palëve ka nisur. Zyrtarë të ushtrisë turke dhe greke po mbajnë bisedime për të ulur tensionet në selinë qendrore të NATO-s. Synimi i këtyre negociatave është shmangia e një përplasjeje të mundshme ushtarake. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë