Fëmijët në kampe, Peka: Nuk zbatohen konventat për mbrojtjen e fëmijëve

56 fëmijë dhe dhjetëra gra e burra po presin ende pa shenja shprese se kur shteti i tyre mund t’i tërheqë nga kampi famëkeq sirian Al-Hol. Pas ndarjes nga jeta të Mentije Dumanit, gjyshes së Evës dhe Endrit në kamp, situata mori edhe më shumë jehonë mediatike duke çuar deri në një protestë në dyert e Kryeministrisë. 

Avokati i Popullit është duke e monitoruar këtë situatë. Komisionerja Nejla Peka, sqaroi për A2 se qëndrojnë në pritje të rasteve individuale. Edhe pse nuk ka një kërkesë specifike në këtë institucion nga familjarët, Avokati i Popullit ndjek rastet sapo ato bëhen publike.

Shqipëria ka nënshkruar disa konventa europiane për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, por edhe në këtë rast bëhet i dukshëm problemi i vjetër, zbatimi i dobët i legjislacionit.

Riatdhesimi i Alvin Berishës, pas angazhimit të medias dhe qeverisë italiane mbetet rasti i vetëm publik i riatdhesimit nga kampi Al Hol. Për shtetin shqiptar rikthimi është konsideruar si një proces i komplikuar, por për këtë vit si argument përdorin pandeminë.