Gjiknuri i përgjigjet opozitës: Kërkoni që ekspertiza të OSBE/ODIHR-it të keqpërdoret me prapamendim

gjiknuri 1100x620

Anëtari i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri i ka kthyer përgjigje menjëherë opozitës në lidhje me kërkesën e saj për të thërritur një tjetër takim ditën e mërkurë për çështjet e mbetura pezull dhe marrjen e një mendimit të OSBE-ODIHR për to.

Sipas Gjiknurit, zbatimi i Kushtetutës për dispozitat e reja për zgjedhjet nuk është një çështje që mund të vihet në diskutim dhe të zvarritet.

“Në vijim të diskutimeve të kryera në mbledhjen e mbrëmshme, më lejoni t’ju ritheksoj se nëse ju kërkoni të shfrytëzoni ekspertizë të huaj për qartësimin e pozicioneve tuaja lidhur me implementimin e dispozitave të reja të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që bëjnë fjalë për zgjedhjet, ju mund ta bëni këtë me këdo që ju e gjeni të përshtatshme, por nuk mund të kërkoni që anëtarët e tjerë të Këshillit Politik, për të cilët zbatimi i Kushtetutës është një çështje që as vihet në diskutim, as zvarritet dhe as anashkalohet të bëhen pjesë e kësaj kërkese, aq më tepër të kërkoni që ekspertiza e OSBE/ODIHR-it të keqpërdoret me prapamendim”, u shpreh Gjiknuri.

Gjiknuri akuzoi opozitën së kërkon të keqpërdorë me prapamendim ekspertizën e OSBE/ODIHR, në një kohë që ajo e ofroi më herët ndihmën e saj, sugjerimet e së cilës u refuzuan prej opozitës.

“OSBE/ODIHR ka qenë gjithmonë gati të përfshihej me ekspertizë teknike për shqyrtimin dhe përpunimin e propozimeve dhe drafteve tona të reformës. Ne kemi qenë mirënjohës sa herë që nga OSBE/ODIHR na kanë ardhur komente dhe sugjerime, sikurse kemi qenë po aq të keqardhur, kur për shkak të insistimit tuaj, sugjerimet e tyre janë neglizhuar e sakrifikuar pa asnjë shkak të logjikshëm”, shtoi anëtari i mazhorancës në Këshill.

Në fund të letrës së tij Gjiknuri fton anëtarët e opozitës që të deklarojnë besnikëri dhe respekt ndaj Kushtetutës së vendit dhe shtoi ekipi i PS-së është në punë për të konkretizuar dispozitat e Kushtetutës dhe për t’i reflektuar ato respektivisht në Kodin Zgjedhor.