Ligji për Presidentin, Manja tregon për A2 risitë kryesore të draftit

Një ditë pas ngritjes së grupit të punës, mazhoranca i ka të qarta piketat se ku do të ndërhyjë me ligj në kompetencat e Presidentit.

Sipas Ulsi Manjës, që drejtoi Komisionin hetimor që u ngrit për shkarkimin e kreut të Shtetit, bëhet fjalë për sqarim të atyre kompetencave që i njeh kushtetuta.

“Jo vetëm statusi dhe privilegjet e Presidentit, por edhe të ish-presidentëve të republikës, do të qartësohen në ligj edhe mënyra e ushtrimit të kompetencave kushtetuese nga ana e Presidentit të Republikës”, u shpreh Manja.

Përvoja të herë pas hershme të përplasjeve me Ilir Metën, i kanë mësuar mazhorancës së cila pjesë duhet sqaruar me ligj. “Ligji duhet të përcaktojë saktësisht se si e ushtron Presidenti këtë kompetencë, kush e sjell propozimin për dhënien e deklaratave dhe titujve të nderit apo në caktimin e datës së zgjedhjeve, presidenti konsultohet me grupet parlamentare dhe forcat politike. Është traditë presidenciale, por nuk është e normuar në ligj se si e ushtron presidenti këtë konsultim. Presidentit nuk ja njeh kushtetuta të drejtën e zhdekretimit të datës së zgjedhjeve”.

E kontaktuar nga A2, Presidenca nuk ka asnjë koment për draftin, i cili sipas socialistëve, do të konsultohet jo vetëm me kreun aktual të shtetit, por dhe paraardhësit e tij.

Më me nxitim e ka mazhoranca reflektimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor. Me apo pa dakordësinë e Këshillit Politik, Kuvendi në 30 shtator zyrtarizon ligjin elektoral.

Sipas socialistëve, nxitimi lidhet edhe me afrimin e datës së zgjedhjeve, që nuk lejon pritje të gjata në favor të opozitës jashtëparlamentare.