Ministrja e Financave: Nuk shantazhohet qeveria me futboll, kemi marrë 2 masa lehtësuese për sponsorizimet

Ministrja e Financave, Anila Denaj, tha se kërkesat e klubeve të futbollit ndaj qeverisë janë të papranueshme në çdo kohë, aq më tepër në një kohë pandemie.

“Futbolli nuk mund të jetë një element pengu dhe shantazhi për qeverinë. Kërkohet që shuma e sponsorizimit në sport të llogaritet në masën 20% mbi tatim fitimin. Pra kërkohet që çdo vit 7 miliardë lekë të shkojnë për sponsorizimin e sportit”, u shpreh ministrja.

“Sigurisht, kërkesat për të sponsorizuar këtë fushë janë të rëndësishme, por a mund të jenë automatike dhe në këtë masë? Kjo, jo në një vit ku ne po kursejmë çdo qindarkë për të adresuar nevojat e buxhetit në kohë pandemie, por nuk e kemi pranuar as vitin e kaluar”.

Denaj shpjegoi se qeveria ka miratuar dy nisma nxitëse për sponsorizimet në sport. “Në ligjin mbi tatimin e të ardhurave kemi miratuar dy ndryshime. Së pari, rritëm nga 3 në 5% shumën e lejuar si shpenzim i zbritshëm për të gjithë sponsorizimet, për të gjitha bizneset. Së dyti, për çdo kompani me tatim fitimi mbi 100 milionë lekë dhe sponsorizim mbi 5%, i njohim trefish të kësaj vlere si shpenzim të zbritshëm”, shtoi ministrja.