“Nisma” fillon rrugëtimin, Prifti: Majtas apo djathtas? Jemi bashkimi vektorial i të gjitha mendjeve alternative

Një tjetër parti duket sikur po i bashkohet politikës shqiptare. Opinioni publik dhe mediat deri më tani  e kanë identifikuar me nismën Thurje, por pedagogu Rezart Prifti, pjesë e këtij subjekti të ri, saktëson për A2 këtë dilemë.   

“Nuk jemi më në kërkim të emrit. Emri është Nisma, pastaj nisma se për çfarë le ta vë ai që ka hall. Mund të jetë nisma për edukimin në Shqipëri, për reformën e tokës, për pensionistët që marrin 10 mijë lekë në muaj”, thotë Prifti , që shtjellon konceptin duke e cilësuar partinë si “bashkimi vektorial i të gjitha forcave dhe mendjeve alternative në Shqipëri: Nisma Thurje, Rudina, unë me Alternativën dhe të tjerë që do të bëhen të ditur besoj nga mesi i tetorit”.

Por çfarë krahu do të mbajë Nisma? “Nuk është çështje e majtë apo e djathtë. Para se të kemi luksin për të shkuar majtas apo djathtas, duhet të dimë a duam të shkojmë lart apo poshtë, është zgjedhje midis së mirës dhe së keqes. Në Shqipëri paragjykojmë çdo nismë politike të re, por objektivi ynë është të ndryshojmë këtë vend dhe nuk ka rëndësi nga vihet. Prandaj në vend që të copëtohemi kemi menduar të bashkohemi ”, thotë pedagogu i Ekonomisë.

Sipas tij, listat e hapura e ndihmojnë Nismën sepse bëjnë të mundur zgjedhjen e personit dhe jo të deleguarin e sistemit. “Nuk jemi pjesë e sistemit edhe pse rrugës na thonë: Kush ju paguan? Nuk kërkoj që njerëzit të na besojnë, por të na dëgjojnë dhe të vlerësojnë platformën”, vijon ai.

Dje, përfaqësues të Nismës kanë takuar edhe ambasadoren, Yuri Kim, një takim mbresëlënës, siç vlerëson Prifti.

“Kisha kohë që nuk bëja në Tiranë një bisedë kaq të angazhuar. Ambasadorja kishte disa sugjerime simpatike, por pjesa me e rëndësishme ishte ajo që të punojmë fort, të ruajmë deri në fund parimet e meritokracisë, por më i rëndësishëm ishte parimi “duhet ta bëni vetë”, pra që duhet të dalim vetë nga balta”.

Sipas tij, “formulë magjike ka vetëm kryeministri i sotëm, për çdo gjë. Ne nuk kemi formulë magjike, por vetëm punë, meritokraci dhe veprim. Vendi ka vajtur në një situatë qesharake, aq sa kryeministri me kafe turke pret një zonjë dhe përcjell zonjën tjetër, ndërkohë që kemi 8 vjet që nuk diskutojmë për një strategji të arsimit të lartë ose një politikë ekonomike”.