Prezantohen projektet për tunelin e Llogarasë, në garë 2 kompani të huaja

Një tunel i gjatë dhe kompleks, por që qeveria e kërkon në kohë rekord dhe me kosto të ulët, pa harruar sigurinë rrugore.

Pas hapjes së tenderit më 19 qershor, 7 kompani morën pjesë në garën për projektin inxhinierik të tunelit të Llogarasë, ndërsa u kualifikuan vetëm dy konsorciume ndërkombëtare, ai i austriakëve të IC Consulenten dhe tjetri i kompanisë italiane SWS.

Pas prezantimit të projekteve, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kërkoi që tenderimi i punimeve për tunelin të nisë brenda këtij viti, në mënyrë që puna të mund të nisë para zgjedhjeve të prillit.

Tuneli do të ndërtohet me fondet e buxhetit, që do të thotë se qeveria do t’i drejtohet një tjetër borxhi.

Kostoja e tunelit 6 kilometra të gjatë do të shpallet ditën e mërkurë, së bashku me projektin fitues. Në bazë të çmimeve referencë të Bashkimit Europian, çmimi i Tunelit të Llogarasë mund të variojë nga 150-190 milionë euro.