Punëtori në shtëpi, roboti në punë!

Japonia është shteti me popullsinë më të vjetër në botë dhe ky fakt po shkakton një mungesë të fuqisë punëtore. Me gati një të tretën e popullsisë mbi 65 vjeç, gjetja e punëtorëve është kthyer në një sfidë në këtë shtet.

Gjithnjë e më shumë kompanitë po i drejtohen teknologjisë si një zgjidhje. Këtë javë, rrjeti i dyqaneve “Lawson” provoi një robot, i cili pritet të zëvendësojë boshllëkun e punëtorëve. Po ashtu, edhe muajin e kaluar, “FamilyMart” provoi një robot të tillë dhe ka planifikuar që të vendosë robotë të ngjashëm në 20 dyqane deri në vitin 2022.

Roboti i quajtur “Model-T”, i krijuar nga kompania “Telexistence”, ka një gjatësi prej 2,1 metrash, ai lëviz rreth një platforme me rrota dhe është i pajisur me kamera, mikrofona dhe sensorë. Teksa përdor 3 “gishtat” në dy duart e tij, ky robot do të përdoret për të sistemuar raftet dhe produktet.

“Ai është në gjendje të sistemojë objekte të llojeve dhe madhësive të ndryshme”, ka thënë Matt Komatsu nga “Telexistence” për “CNN Business”. Kjo e karakteristikë e veçon këtë robot nga të tjerë të përdorur më parë në dyqane, pasi ata marrin të njëjtën gjë nga i njëjti vend dhe e vendosin në të njëjtën platformë. “Lëvizja e tyre është shumë e kufizuar krahasuar me krijimin tonë”, ka thënë Komatsu.

“Piloti” që komandon robotin vendos pajisjen virtuale dhe dorashkat speciale që e bëjnë atë të ndjejë në duart e tij produktin që roboti do të lëvizë. Ndërkohë, mikrofonët dhe kufjet u lejojnë atyre të komunikojnë me njerëzit në dyqan. Komatsu thotë se ky robot mund të kontrollohet nga çdo vend i botës.

Ndërkohë, situata aktuale e pandemisë ka rritur interesin për pajisje të tilla, të cilat mund të ndihmojnë në zvogëlimin e kontakteve të njerëzve. Po ashtu, ata do të mund të kthenin efektivë edhe personat e prekur nga virusi, por që janë asimptomatikë.

Megjithatë, roboti “Model-T” ka ende vend për përmirësim derisa të funksionojë në të njëjtin nivel me një qenie njerëzore. Aktualisht, robotit i duhen 8 sekonda për të vendosur një send në një raft, ndërsa një njëri do ta bënte këtë për rreth 5 sekonda. Deri tani, ky robot mund të përdoret për të zhvendosur vetëm produkte të paketuara. Kompania është duke punuar për të përmirësuar këto kufizime.

Duke përdorur inteligjencën artificiale, kompania shpreson të arrijë që roboti të kopjojë automatikisht lëvizjet e njerëzve, në mënyrë që të mos ketë nevojë për dikë që ta drejtojë.