Surprizon Roma, sulm për Kumbullën dhe Milik, Dzeko pranë Juves

kumbull adzeko milik 1100x620

Në Romë ka nisur të ndihet epoka e re e Daniel Friedkin. Skuadra italiane ka dy synime, për momentin, dhe një prej tyre ka të bëjë me mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla.

Futbollisti shqiptar, i cili ka qenë pjesë e spekulimeve për të ardhmen, që në fillimin e këtij viti pas interesimit të një sërë klubesh në Itali dhe jo vetëm, tashmë duket më pranë Romës e cila kërkon të forcojë mbrojtjen pikërisht me aftësitë e tij.

Kumbulla u duk se do të mbyllte marrëveshjen me skuadrën rivale të kryeqytetit, Lazion, por mesa duket presidenti Lotito nuk po ia del të finalizojë akordin dhe operacionin që kushton 20 milionë euro. Kumbulla është alternativë kryesore e Romës, duke parë vështirësinë e rimarrjes së mbrojtësit Smalling nga Manchetser United.

Klubi roman po punon për të forcuar njëkohësisht edhe sulmin e trajnerit Fonseca teksa është gjetur akordi me Arkadiusz Milik, sulmuesin polak të Napolit. Milik do të jetë pika e re e referimit te Roma, ndërsa lëvizja do të kompletohet për shumën e 25 milionë eurove.

Në këtë mënyrë, skuadra e presidentit Friedkin do të lirojë Edin Dzekon për të lëvizur nga kryeqyteti, por do të forcojë një skuadër rivale në Itali pasi sulmuesi boshnjak është gati t’i bashkohet Cristiano Ronaldos dhe Paolo Dybalas në sulmin e ri të Juventusit.