Astrit Patozi: Një propozim konkret për të shpëtuar zgjedhjet e 25 prillit

Astrit Patozi  1100x620

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka dalë me një propozim konkret pas ngërçit të krijuar rishtazi në Këshillin Politik në lidhje me çështjen e koalicioneve dhe listave 100% të hapura.

Pasi e konsideron të sajuar debatin për koalicionet, Patozi shkruan në rrjetet sociale se të dyja palët zihen gjoja se kush e respekton më shumë OSBE/ODIHR, ndërkohë që rrëzuan rekomandimin kryesor të saj, atë të depolitizimit të administratës zgjedhore.

Për Patozin ka një zgjidhje konkrete që zgjedhjet e 25 prillit të jenë normale dhe ajo është krijimi i komisioneve të depolitizuara të numërimit për të numëruar votat e kandidatëve brenda listave. Ai thotë se votat për partitë mund të vazhdojnë të numërohen nga komisionet politike, ndërsa kur të shkojë puna te kandidatët, fletët të numërohen nga këto komisione

“Problemi i Shqipërisë është që zgjedhjet e 25 prillit të paktën të jenë normale, se të lira dhe të ndershme, mbetet ende një fjalë e madhe në këtë vend. Dhe armikun kryesor, përveç qeverisë, që është në çdo rast aty për të vjedhur dhe manipuluar, ato kanë pikërisht komisionet e politizuara të votimit dhe të numurimit.

Dhe këtë e dinë më mirë se gjithë të tjerët dashnorët e përvëluar të OSBE/ODIHR-it këto ditët e fundit, sepse për këtë punë e kanë bërë.

Por meqë jemi ende në kohë për të shkruar rregullat e lojës në Kodin Zgjedhor, ka një mënyrë për ta minimizuar rolin e çakejve politikë në qendrat e votimit, pa e prekur marrëveshjen e 5 qershorit, me gjithë neverinë që kemi për të. Por e duam apo nuk e duam ne, ajo tashmë është një fakt.

Dhe kjo mund të bëhet me komisione të depolitizuara numërimi, që llogarisin vetëm votat e kandidatëve brenda listave finale të paraqitura në KQZ.

Që do të thotë se votat për partitë apo subjektet zgjedhore të vazhdojnë t’i numërojnë komisionet politike, sipas marrëveshjes së 5 qershorit, por pastaj ata të dorëzojnë detyrën”, shkruan Patozi.