Atentati me eksploziv, PD: Pasojë e politikave të Ramës që e la krimin të lirë

bardhi 1100x620

Partia Demokratike e konsideroi atentatin me eksploziv, që tronditi Tiranën, pasditen e së martës, si pasojë e politikave të Edi Ramës që e ka lënë krimin të lirë të bëjë çfarë të dojë.

“Goditja mafioze, e përjetuar nga shumë qytetarë si një sulm terrorist në një nga qendrat më të populluara të Tiranës, është pasojë e politikës së Edi Ramës “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”. Një politikë e tillë ka lënë krimin të lirë të bëjë çfarë të dojë, kur të dojë dhe si të dojë, duke bërë viktima të luftës së tyre edhe fëmijët, siç ndodhi mbrëmë në aktin mafioz-terrorist në Tiranë. Politika “hëngshin kokat e veta” e ka burimin te pakti i Edi Ramës me krimin, i cili është burimi i pasigurisë së qytetarëve. Kryeministri në ikje ka dështuar me vendosjen e rendit dhe sigurisë, sepse ai erdhi dhe qëndroi në pushtet, duke pasur ortak krimin dhe bandat. Prioriteti i tij është të mbrojë dhe të pasurojë kriminelët që i mbajnë në këmbë pushtetin dhe jo të mbrojë qytetarët shqiptarë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.