Efektet e pandemisë, tkurren me 8,3% shitjet në tregtinë me pakicë

Ulja e shitjeve në tregtinë me pakicë ishte e pritshme, madje edhe në nivele më të forta nga sa raporton Instituti i Statistikave. Kjo duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e njësive të tregtisë dhe shërbimeve ishin të mbyllura përgjatë dy muajve, prill dhe maj.

Ashtu siç pritej, pandemia e COVID-19 goditi tregtinë me pakicë. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në tremujorin e dytë të këtij viti, shitjet në volum në tregtinë me pakicë janë ulur 8,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve pësoi një rënie vjetore prej 4,5%, ndërsa në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve u tkurr me 18,3 %. Rritja e shitjeve është konstatuar vetëm tek ushqimet. Në grupin “Ushqime, pije, duhan”, volumi i shitjeve është rritur 1,4%, ndërkohë që volumi i shitjeve, për grupin “Artikuj jo-ushqimorë” është ulur me 8,7%.

Ulja e shitjeve ishte e pritshme, madje edhe në nivele më të forta nga sa raporton Instituti i Statistikave. Kjo duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e njësive të tregtisë dhe shërbimeve ishin të mbyllura përgjatë dy muajve, prill dhe maj. Por edhe pas karantinës, niveli i shitjeve mbetet problem, për shkak të tkurrjes së konsumit nga problemet financiare që po kalojnë shumë familje, por edhe pasiguritë e forta që ka shkaktuar kriza.