Marrëveshjet e paqes, Trump: Ndryshuam kursin e historisë

TRUMP MARREVESHJET.duplicate frame 0 1100x620

Ndërsa bëri bashkë udhëheqësit e Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrejnit për të zyrtarizuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi marrëveshjen një arritje historike që do të përhapë paqen në të gjithë Lindjen e Mesme.

“Jemi këtu për të ndryshuar kursin e historisë”, tha Trump. Për Trump, ky moment ishte një tjetër provë se aftësia e tij në ndërmjetësimin e marrëveshjeve po jepte frytet në rajonin e trazuar.

“Së bashku, këto ujdi do të shërbejnë si bazë për një marrëveshje më të gjerë paqeje në rajon, diçka që askush nuk e mendonte si të arritshme, veçanërisht në këtë kohë”, u shpreh presidenti.

Por përveç paqes, ngjarja mund të ndikojë edhe në përhapjen e koronavirusit. Zyrtarë të lartë të administratës, anëtarë të familjes së presidentit dhe ligjvënës, u ulën pranë njëri-tjetrit në ceremoninë e mbajtur në pjesën jugore të Shtëpisë së Bardhë, pa distancim social e pa maska.

Presidenti po sfidon fatin edhe në tubimet elektorale. Aktivitetet e fundit në Nevada dhe Arizona u mbajtën në ambiente të mbyllura të mbushura plot me mbështetës. E gjitha kjo në një kohë kur bilanci i viktimave nga Covid-19 në SHBA po i afrohet 200 mijëshit, çka përbën 20 për qind të vdekjeve nga koronavirusi në të gjithë botën. Qasja e rivalit demokrat Joe Biden është totalisht e ndryshme; ai mban maskë në publik, e zhvillon tubime më të vogla, ndërsa i përgjigjet sulmeve të Trump. “Vlen vetëm e vërteta. Të gjithë e dinë se kush është Trump. Njerëzit do të marrin pjesë në votime”, tha Joe Biden.

Numri një i Uashingtonit përsëriti se vaksina do të jetë gati para ditës së zgjedhjeve edhe pse ekspertët e tij mendojnë që jo.

“Do të dalë shumë shpejt. A do të jetë gati para zgjedhjeve? Mund të jetë në kuptimin që ne kemi diçka dhe menjëherë më pas fillojmë shpërndarjen”, tha Trump.